Përafrimi i Legjislacionit

Këshilli i Bashkimit Evropian për shtetet aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), në vitin 1993 ka përcaktuar kriteret e Kopenhagës, të cilat janë të natyrës politike, ekonomike dhe ligjore.

Rrjedhimisht, aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, nuk kanë të bëjnë vetëm me çështje politike dhe ekonomike, por, mbi të gjitha edhe me çështje ligjore.

Në saje të procesit të integrimit Evropian, përafrimi i legjislacionit vendor me legjislacion të BE-së (acquis) përbën një ndër shtyllat kryesore që shpiejnë Kosovën drejtë integrimit Evropian. Në funksion të procesit integrues, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar infrastrukturën përkatëse ligjore për përafrimin e legjislacionit vendor me acquis.

Procesi i përafrimit të legjislacionit të BE-së në Kosovë ngërthen në vete një spektër të gjerë të aktiviteteve dhe angazhim të institucioneve shtetëtore rreth procesit të planifikimit, draftimit, miratimit, si dhe zbatimit të legjislacionit vendor në përputhje me acquis të BE-së.

Në funksion të realizimit të procesit të përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së, përkthimi i acquis të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës ndihmon institucionet dhe të gjithë akterët pjesëmarrës në përdorimin, si dhe përafrimin korrekt të akteve ligjore të vendit me ato të BE-së.

Divizioni i së Drejtës së BE-së i Zyrës së Kryeministrit është autoriteti kyç në ofrimin e mbështetjes profesionale dhe ligjore për strukturat institucionale të Republikës së Kosovës, në fushën e përafrimit të legjislacionit vendor me acquis të BE-së.

Në vijim gjeni të bashkëngjitura aktet ligjore dhe materialet mbështetëse të cilat rregullojnë fushën e përafrimit dhe përkthimit të legjislacionit vendor me acquis të BE-së.

Korniza Ligjore për Përafrim
Dokumente Udhëzuese mbi Procesin e Përafrimit Ligjor

Udhëzime për Përafrimin e Legjislacionit të BE-së