Harto projektligjin

Përgatitja e legjislacionit nënkupton zhvillimin e të gjitha fazave të procesit të hartimit dhe harmonizimit të projekt akteve ligjore dhe akteve nënligjore të cilat kanë për qëllim rregullimin e një fushe të caktuar.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht me nenin 79 përcaktohet se nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Kryeministri dhe ministrat në cilësinë e organeve propozuese, në ushtrimin e të drejtës për nismën legjislative, i propozojnë Qeverisë miratimin e projekt akteve ligjore dhe nxjerrjen e projekt akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjeve, bazuar në autorizimin ligjor. Ministri ushtron këtë të drejtë në përputhje me fushën e përgjegjësisë administrative të ministrisë që e udhëheqë.

Të gjitha aktivitetet për paraqitjen e nismës legjislative duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Personat e angazhuar në hartimin ose shqyrtimin e një projekt akti ligjor, akti nënligjor, ose amendamenti që kërkohet, duhet që në çdo fazë të hartimit të veprojnë me profesionalizëm për të siguruar që dokumenti i tillë është në pajtim me parimet dhe standardet e hartimit të legjislacionit të përcaktuar nga Qeveria.

Zyrtarët publikë që marrin pjesë në procesin e hartimit, konsultimit dhe shqyrtimit të projekt aktieve ligjore dhe projekt akteve nënligjore duhet t’u përmbahen standardeve të hartimit të legjislacionit dhe duhet që në çdo fazë të hartimit të veprojnë me profesionalizëm për të siguruar që projektligji apo projekt akti nënligjor:

Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, në bashkëpunim me departamentet ligjore të ministrive, përgatit draft Programin Legjislativ i cili miratohet së bashku me planifikimet përkatëse vjetore të Qeverisë. Po ashtu, ministritë e linjës me qëllim të planifikimit dhe koordinimit të përmbushjes së obligimeve sa i përket nxjerrjes së akteve nënligjore, që duhet të nxjerrin ministrat apo t’i propozojnë Qeverisë për miratim, përgatisin Planin Legjislativ të akteve nënligjore i cili është dokument vjetor planifikues.

Brenda një muaji nga miratimi i koncept dokumentit nga Qeveria, organi propozues cakton zyrtarin përgjegjës për përgatitjen e projekt aktit ligjor. Sekretari i Përgjithshëm i organit propozues (Zyra e Kryeministrit apo ministria përkatëse) bazuar në Programin Legjislativ cakton afatin kohor për përfundimin e projekt aktit nënligjor dhe miratimit të tij në Qeveri.

Procesi i përgatitjes së projekt akteve ligjore kalon në hapat e mëposhtëm:

  1. Hartimi fillestar i projekt aktit ligjor
  2. Konsultimi paraprak;
  3. Konsultimi publik;
  4. Finalizimi i projekt aktit ligjor
  5. Procedurat për dërgim në shqyrtim dhe miratim nga Qeveria;
  6. Shqyrtimi dhe miratimi nga Qeveria;
  7. Shqyrtimi dhe miratimi nga Kuvendi;
  8. Shpallja nga Presidenti i Republikës së Kosovës;
  9. Publikimi në Gazetën Zyrtare, dhe

Drejtori i Departamentit Ligjor i ministrisë përkatëse njofton drejtorin e Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit lidhur me zyrtarin përgjegjës për përgatitjen e draftit fillestar të projekt aktit ligjor. Zyrtari përgjegjës i përcaktuar udhëheqë procesin e hartimit në ministri në bashkëpunim të ngushtë me departamentin ligjor të ministrisë.

Ministrat njoftojnë Kryeministrin dhe Qeverinë për të gjitha aktet nënligjore të nxjerra dhe në ditën e nënshkrimit të akteve nënligjore, sekretarët e përgjithshëm të ministrive dërgojnë një kopje (në letër dhe elektronike) të këtyre akteve në Zyrën Ligjore të Kryeministrit. Zyra Ligjore mban dhe përditëson Regjistrin e të gjitha akteve nënligjore të miratuara nga Qeveria dhe Ministritë.

Organi propozues i projektligjit apo projekt aktit nënligjor, pas përfundimit të versionit fillestar të tyre, projekt aktet e tilla i procedon për konsultim paraprak me qëllim të marrjes së komenteve dhe sugjerimeve nga akterët e tjerë institucional. Po ashtu, nëpërmjet procesit të konsultimit publik duhet të kërkon mendimin e publikut rreth projekt akteve në fjalë që dëshirojnë t'i hartojnë.

Në Republikën e Kosovës janë një varg aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procedurat për hartimin dhe miratimin e legjislacionit, si në vijim:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Ligji Nr. 04/L-025 për Nisma Legjislative
Rregullorja (QRK) – Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive është miratuar në mbledhjen e 2të të Qeverisë së Kosovës
Rregullorja Nr. 09/2011 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës
Rregullore Nr.13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar
Udhëzim Administrativ Nr. 03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative
Rregullorja (QRK) Nr.05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik, është miratuar në mbledhjen e 86 të Qeverisë së Kosovës