Sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit "(LDS)", shërben si platformë hartuese që u mundëson zyrtarëve publikë të hartojnë legjislacionin direkt në sistem. Si rezultat, palët e interesuara do të kursejnë kohë pasi procedimi tutje i dokumenteve bëhet automatikisht nga sistemi. Gjithashtu, procesi i përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së përfiton nga ky sistem sepse tabela e përputhshmërisë me Acquis hartohet drejtpërdrejtë në sistem. Po ashtu, sistemi mundëson që të eliminohen mangësitë e mëparshme siç janë: problemet teknike me formatizimin e projektakteve juridike të përgjithshme dhe tabelave të përputhshmërisë me Acquis . Kjo arrihet përmes mundësisë teknike që ofron sistemi.
Praktikisht, Sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit "(LDS)", shërben si sistem i menaxhimit të njohurive që ruan të gjithë dokumentet relevante në procesin e hartimit të legjislacionit. Përmes këtij funksioni, sistemi zvogëlon humbjen e të dhënave që vijnë nga ruajtja e decentralizuar e dokumenteve nga individët në disqet personale ose të përbashkëta dhe shërben si “memorie institucionale”.
Sistemi gjithashtu siguron informacion transparent për të gjithë akterët e përfshirë në statusin aktual të një projektakti juridik të përgjithshëm dhe të mendimit të Qeverisë për Nismat Legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo në një masë të madhe përmirëson transparencën, bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe siguron gjithëpërfshirjen gjatë procesit të përgatitjes së legjislacionit.
Po ashtu, sistemi ruan statistikat, që ndihmon Zyrën e Kryeministrit, dhe ministritë, në mbikëqyrjen e procesit të hartimit të legjislacionit dhe gjenerimin e raporteve të ndryshme varësisht nga nevojat e Qeverisë gjatë procesit të hartimit të politikave publike.
Pra, ky sistem përbën një ndër hapat kryesor të administratës shtetërore të Republikës së Kosovës drejt dixhitalizmit të punës së saj dhe zvogëlimit të barrës administrative gjatë procesit të përgatitjes së legjislacionit.
Sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit "(LDS)", ka bazë ligjore në nenin 28, të Rregullores (QRK) Nr. 17/2024 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ideja për zhvillimin e këtij sistemi është iniciuar nga Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit me qëllim që të lehtësojë procesin e hartimit të legjislacionit dhe monitorimit të tij. Ky sistem është zhvilluar në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për hartimin dhe miratimin e legjislacionit.
Sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit "(LDS)", është ideuar dhe zhvilluar nga Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit në bashkëpunim të ngushtë me departamentet ligjore të ministrive dhe është financuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ) Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH.
© Zyra e Kryeministrit është pronare e këtij sistemi dhe është përgjegjëse për çdo përditësim që konsiderohet i nevojshëm në të ardhmen.