Harto projekt aktin juridik të përgjithshëm


Hartimi i legjislacionit është proces që transformon politikat e qeverisë në akte juridike të përgjithshme.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht me nenin 79 përcaktohet se nismën për të propozuar ligje, mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Kryeministri dhe ministrat në cilësinë e organeve propozuese, në ushtrimin e të drejtës për nismën legjislative, i propozojnë Qeverisë miratimin e projekt akteve juridike të përgjithshme të nevojshme për zbatimin e ligjeve, bazuar në autorizimin ligjor. Ministri ushtron këtë të drejtë në përputhje me fushën e përgjegjësisë administrative të ministrisë që e udhëheqë.

Të gjitha aktivitetet për paraqitjen e nismës legjislative duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Personat e angazhuar në hartimin ose shqyrtimin e një projekt akti juridik të përgjithshëm ose amendamenti që kërkohet, duhet që në çdo fazë të hartimit të veprojnë me profesionalizëm për të siguruar që dokumenti i tillë është në pajtim me parimet dhe standardet e hartimit të legjislacionit të përcaktuar nga Qeveria.

Zyrtarët publikë që marrin pjesë në procesin e hartimit, konsultimit dhe shqyrtimit të projekt akteve juridike të përgjithshme duhet t’u përmbahen standardeve të hartimit të legjislacionit dhe duhet që në çdo fazë të hartimit të veprojnë me profesionalizëm për të siguruar që projek akti juridik i përgjithshëm:

Në kuadër të procesit të planifikimit të punës së Qeverisë, Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, në bazë të propozimeve të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive, koordinon dhe përgatit Programin e Projektligjeve të Qeverisë, si shtojcë e planit të punës për miratim nga ana e Qeverisë. Po ashtu, ministritë e linjës me qëllim të planifikimit dhe koordinimit të përmbushjes së obligimeve sa i përket nxjerrjes së akteve nënligjore, që duhet të nxjerrin ministrat apo t’i propozojnë Qeverisë për miratim, përgatisin Planin e akteve nënligjore i cili është dokument vjetor planifikues.

Titullari i institucionit apo Sekretari i përgjithshëm i organit propozues, bazuar në Programin e Projektligjeve të Qeverisë dhe në planin e akteve nënligjore të ministrisë dhe afatet e përcaktuara në to, cakton grupin punues për përgatitjen e versionit fillestar të projekt aktit juridik të përgjithshëm.

Procesi i përgatitjes së projekt akteve juridike të përgjithshme kalon në hapat e mëposhtëm:  

  1. Hartimi fillestar i projekt aktit juridik të përgjithshëm;
  2. Konsultimi paraprak;
  3. Konsultimi publik;
  4. Finalizimi i projekt aktit juridik të përgjithshëm
  5. Procedurat për dërgim në shqyrtim dhe miratim nga Qeveria;
  6. Shqyrtimi dhe miratimi nga Qeveria;
  7. Shqyrtimi dhe miratimi nga Kuvendi;
  8. Shpallja nga Presidenti i Republikës së Kosovës;
  9. Publikimi në Gazetën Zyrtare.

Organi propozues i projekt aktit juridik të përgjithshëm është përgjegjës për të siguruar që Zyra e Kryeministrit, të gjitha ministritë, agjencitë e pavarura si dhe organet tjera relevante puna e të cilave ndikohet nga propozimi përkatës, të kenë mundësi të komentojnë lidhur me propozimin. Po ashtu, Grupi punues i organit propozues, pas përgatitjes së versionit fillestar të aktit juridik të përgjithshëm të jashtëm, zhvillon procesin e konsultimit publik.

Ministri njofton Kryeministrin për aktin nënligjor të nxjerrë dhe në ditën e nënshkrimit të aktit nënligjor, njësia përgjegjëse për çështje ligjore përmes sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dërgon një kopje elektronike të aktit nënligjor në Zyrën ligjore në ZKM.

Në Republikën e Kosovës janë një varg aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procedurat për hartimin dhe miratimin e legjislacionit, si në vijim:

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
LIGJI NR. 04/L-025 PËR NISMA LEGJISLATIVE
UDHËZIM ADMINISTRATIV NR. 03/2013 PËR STANDARDET E HARTIMIT TË AKTEVE NORMATIVE
RREGULLORE (QRK) - NR. 14/2023 PËR FUSHAT E PËRGJEGJËSISË ADMINISTRATIVE TË ZYRËS SË KRYEMINISTRIT DHE MINISTRIVE
RREGULLORE (QRK) - NR. 17/2024 E PUNËS SË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS