Korniza Ligjore për Përkthim

Njëra ndër përgjegjësitë e Ministrisë së Integrimit Evropian që derivon nga Vendimi Nr. 6/121 i datës 22.04.2010 për fushëveprimin e MIE-së është poashtu “Koordinimi i përkthimit të legjislacionit të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Në këtë kontekst, procesi i përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian është i rregulluar me “Rregulloren për Procesin e Përkthimit të Legjislacionit të Bashkimit Evropian në Gjuhët Zyrtare të Republikës së Kosovës” e cila është aprovuar në mbledhjen e 11të të Qeverisë, me datë 28 janar 2015, dhe ka për qëllim: të përcaktojë procedurat e përkthimit, koordinimin e procesit të përkthimit, si dhe unifikimin e terminologjisë të Acquis të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në saje të ngritjes së kapaciteve profesionale dhe bashkëpunimit në këtë fushë, Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e Komisionit Teknik për Përkthimin e Legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe, si dhe bashkëpunimit në sferën e përafrimit të legjislacionit, e lidhur me datë 26 mars 2014, në Prishtinë.

Gjithashtu, Ministria e Integrimit Evropian dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me datë 13 mars 2015 kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, kjo Marrëveshje Bashkëpunimi parasheh themelimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përmes:

-  Trajnimit të stafit dhe të studentëve të Fakultetit Filologjik në përdorimin e sistemeve softuerike për përkthim;
-  Pranimin e studentëve për kryerjen e praktikës brenda Divizionit të Përkthimit dhe Terminologjisë së Acquis, në Ministrinë e Integrimit Evropian; si dhe
-  Bashkëpunimit në fushën e krijimit të databazës së terminologjisë për përkthim duke përdorur fjalor dhe glosar të ndryshëm.